Transmetuar më 25-01-2026, 15:50

Shkodër, 26 janar 2026 Një i dënuar ka ndërruar jetë ditën e sotme në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër, ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim nga autoritetet kompetente.

Sipas informacioneve zyrtare, viktima është Nicolae Ionnut Erion Deliver, 20 vjeç, i lindur në Rumani më 23 mars 2005 dhe banues në Shkodër. Ngjarja është konstatuar nga punonjësit e policisë së burgut, të cilët kanë vënë re se i riu nuk po reagonte dhe nuk lëvizte nga shtrati.

Menjëherë është njoftuar personeli shëndetësor i institucionit, i cili pas vlerësimit mjekësor ka konstatuar parametra jetësorë të ulët. Të riut i është dhënë ndihma e parë dhe është rekomanduar transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.

20-vjeçari është dërguar në Urgjencën e Spitalit të Koplikut, ku ka marrë ndihmë mjekësore, por pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, mjeku i urgjencës ka konfirmuar ndarjen e tij nga jeta.

Spitali ka njoftuar menjëherë organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.

Sipas të dhënave zyrtare, ky shtetas ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më 10 tetor 2024, me masë sigurimi “arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit