

Manchester, 25 janar 2026 Një rast i pazakontë ka shkaktuar zemërim të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u zbulua se një shtetas shqiptar ka arritur të fitojë rreth 20 mijë paund nga një transmetim i drejtpërdrejtë në TikTok, i realizuar nga brenda qelisë së tij në një burg të Manchesterit.
Bëhet fjalë për Eugert Merizajn, i cili, sipas raportimeve të mediave britanike, përdori një telefon të futur në mënyrë të paligjshme në burg për të marrë pjesë në një të ashtuquajtur “ndeshje TikTok”, një format ku dy përdorues transmetojnë njëkohësisht dhe u kërkojnë ndjekësve të dërgojnë dhurata virtuale me pagesë.
Këto dhurata shndërrohen në pikë dhe fitues shpallet ai që grumbullon më shumë, të cilat më pas konvertohen në të ardhura monetare. Në vetëm shtatë minuta transmetim, Merizaj arriti të grumbullojë 5,429,625 pikë, me një vlerë të përafërt prej 20 mijë paundësh. Të ardhurat dyshohet se janë depozituar në llogarinë bankare të një miku të tij jashtë burgut.
Gjatë transmetimit live, ai dëgjohet duke u bërë thirrje ndjekësve që të dërgojnë më shumë dhurata dhe të shpërndajnë videon për të rritur audiencën, ndërsa lexon me zë emrat e kontribuuesve. Mediat raportojnë se ai përdorte disa llogari në TikTok, ndërsa ajo kryesore kishte mbi 45 mijë ndjekës.
Në transmetime të tjera, Merizaj shihet duke pirë cigare dhe duke u shfaqur me veshje firmato, ndërsa në komunikime me ndjekësit shprehej se autoritetet nuk mund ta deportonin në Shqipëri pa pëlqimin e tij.
Eugert Merizaj është dënuar në vitin 2022 me 32 vite burg për vrasjen e Hemawand Ali Hussein, i cili u qëllua për vdekje nga afër brenda një banese në Hartlepool në vitin 2019. Sipas rregullave në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasit e huaj të dënuar për vepra penale pritet të deportohen pas vuajtjes së një pjese të dënimit. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Fierit njohu vendimin e autoriteteve britanike dhe pranoi që Merizaj ta vuajë dënimin në Shqipëri, konkretisht në burgun e Peqinit, pasi t’i zbritet koha e vuajtur në Angli.
Rasti ka nxitur reagime të forta politike. Deputeti opozitar Nick Timothy deklaroi se sistemi i drejtësisë duhet të mbrojë publikun dhe të ndëshkojë kriminelët, duke theksuar se raste të tilla nuk duhet të tolerohen.
Pas sinjalizimit, TikTok njoftoi se ka bllokuar të gjitha llogaritë e përdorura nga Merizaj dhe ka ndërprerë mundësinë e tërheqjes së fondeve. Ndërkohë, një përfaqësues i Ministrisë britanike të Drejtësisë i tha gazetës The Sun se sjellja është “plotësisht e papranueshme”, se përmbajtjet janë hequr menjëherë dhe se ka nisur një hetim urgjent, duke paralajmëruar masa shtesë për të frenuar futjen e sendeve të paligjshme në burgje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






