Transmetuar më 25-01-2026, 14:53

Tiranë, 26 janar 2026 Shenjat e para të gripit sezonal po shfaqen te një numër në rritje qytetarësh, me simptoma që nisin me lodhje të theksuar, dhimbje trupi, temperaturë dhe kollë. Mjekët sqarojnë se situata aktuale nuk është alarmante, por paralajmërojnë se simptomat nuk duhet të neglizhohen, sidomos te grupmoshat më të rrezikuara.

Sipas bluzave të bardha, periudha e dimrit shoqërohet çdo vit me shtim të rasteve të virozave dhe gripit, duke rritur fluksin në qendrat shëndetësore dhe shërbimet e urgjencës. Simptomat shfaqen gradualisht, ndërsa rreth ditës së tretë ose të katërt kolla bëhet më e fortë dhe shoqërohet me sekrecione respiratore.

Mjekët theksojnë se lodhja e vazhdueshme dhe këputja e trupit nuk duhen nënvlerësuar, pasi në disa raste gjendja mund të përkeqësohet dhe të kërkojë trajtim të specializuar. Kujdes i veçantë rekomandohet për të moshuarit mbi 65 vjeç, si dhe për pacientët me sëmundje kronike ose imunitet të dobët.

Si masa parandaluese, ekspertët e shëndetit këshillojnë respektimin e rregullave bazë të higjienës, ushqyerjen e shëndetshme të pasur me perime dhe zarzavate, shmangien e ambienteve të mbyllura dhe ajrosjen e shpeshtë të hapësirave të brendshme, me qëllim uljen e rrezikut të përhapjes së gripit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit