

Mat – Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Start”, duke goditur një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara kundër kësaj veprimtarie kriminale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili shiste doza kanabisi në ambientin e punës së tij.
Në pranga ka rënë F.P., 38 vjeç, banues në fshatin Suç, Klos. Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një bilardoje ku ai punonte, u gjetën dhe u sekuestruan 19 doza kanabisi, të ndara dhe gati për shitje.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu lënda narkotike dhe një telefon celular, të cilat do të përdoren si prova materiale në procesin hetimor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






