

Jerusalem, 25–27 janar 2026 – Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Izrael, ku fokusi kryesor do të jetë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Vizita, e cila zhvillohet në Jerusalem, përfshin takime të nivelit të lartë politik dhe aktivitete me simbolikë shtetërore dhe historike. Kryeministri Rama do të shoqërohet nga një delegacion zyrtar shqiptar, si edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Pika qendrore e axhendës do të jetë takimi kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i planifikuar për datën 26 janar. Pas këtij takimi, dy delegacionet do të zhvillojnë bisedime zyrtare, ndërsa pritet edhe një deklaratë e përbashkët për mediat.
Po gjatë kësaj dite, Rama do të marrë pjesë në një ceremoni shtetërore pritjeje në Knesset, Parlamenti i Izraelit, ku do të nderohen viktimat e terrorit dhe ushtarët e rënë. Vizita në parlament do të pasohet nga firmosja e Librit të Përshtypjeve dhe një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.
Në vijim, Kryeministri shqiptar do të mbajë një fjalim në seancën plenare speciale të Knessetit, përkrah figurave kryesore të politikës izraelite, përfshirë Kryeministrin Netanyahu dhe liderin e opozitës, Yair Lapid. Fjalimi i Ramës pritet të fokusohet në bashkëpunimin ndërkombëtar, kujtesën historike dhe angazhimin kundër antisemitizmit.
Vizita do të mbyllet me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku ai do të mbajë një fjalë në prani të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Paralelisht me axhendën e kryeministrit, Linda Rama do të zhvillojë aktivitete të veçanta, përfshirë takime kulturore dhe një bashkëbisedim me gratë parlamentare izraelite.
Vizita konsiderohet një moment i rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, si në planin politik, ashtu edhe në atë simbolik dhe historik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






