

Tiranë, 25 janar 2026 – Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se furnizonin me lëndë narkotike disa grupe shpërndarësish që vepronin në kryeqytet. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge si edhe shuma parash, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal.
Në pranga kanë rënë Elvi Meta, Igli Canaj dhe Alban Kopaçi, të cilët, sipas hetimeve paraprake, kishin rolin e furnizuesve kryesorë në skemën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Burime policore bëjnë me dije se droga shpërndahej në disa zona të Tiranës, përmes një rrjeti të organizuar, ku secili prej të arrestuarve kishte role të ndara në sigurimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e saj.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cargo 2”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, kundër shitjes të lëndëve narkotike.
Vihen në pranga 3 shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me lëndë narkotike kokainë, disa grupe shpërndarësish.
Sekuestrohen 1 kg e 36.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 121 000 euro, 60 milion lekë, 5000 paund dhe sende të tjera rë kundërligjshme.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve policore kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëorganizuar organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cargo 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. M., 26 vjeç, I. C., 33 vjeç dhe A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Në Unazë të Madhe, në afërsi të rrethrrotullimit të Tegut, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “Escalade” me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjerë shtetasit E. M, dhe I. C. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 36.6 gramë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa grupe shpërndarësish, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 121 000 euro, 60 milion lekë, 5000 paund të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me lëndën narkotike, automjetin dhe 5 aparate celular.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






