

Tiranë, 25 janar 2026
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar pas protestës kombëtare të opozitës të zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, duke bërë bilancin paraprak të ngjarjeve dhe masave të ndërmarra.
Sipas policisë, në lidhje me aktet e dhunshme të ndodhura gjatë tubimit janë identifikuar gjithsej 37 shtetas. Prej tyre, 18 persona janë arrestuar në flagrancë, 17 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy protestues janë shpallur në kërkim. Gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit, kanë mbetur të lënduar 11 punonjës policie, të cilët kanë marrë mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë protestës disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe kanë hedhur lëndë djegëse të llojit molotov në drejtim të tyre, duke rrezikuar sigurinë publike dhe jetën e efektivëve në shërbim.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar shtetas të moshave nga 19 deri në 50 vjeç, ndërsa procedimi penal ka nisur edhe për 11 persona të tjerë, mes të cilëve tre të mitur. Po ashtu, janë shpallur në kërkim dy shtetas, për të cilët policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Gjithashtu, policia ka referuar materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Procedim penal është nisur edhe ndaj tre shtetasve të tjerë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Policia bën me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon analizimin e pamjeve filmike dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve, me qëllim identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 37 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 17 dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie. Më datë 24.01.2026, rreth orës 17:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç; -nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur; -u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






