Transmetuar më 25-01-2026, 09:03

Tiranë, 25 janar 2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta pas protestës kombëtare të organizuar nga opozita, duke e cilësuar tubimin si një “degjenerim të pandalshëm” dhe shprehje të një “dëshpërimi të pangushëllueshëm”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se gjatë protestës janë përdorur metoda të dhunshme, ku sipas tij, persona të maskuar dhe të rekrutuar me pagesë kanë hedhur molotovë, kanë dëmtuar prona dhe kanë sulmuar godinat e institucioneve shtetërore, duke plagosur edhe punonjës policie.

Kryeministri bën një krahasim me protesta të dhunshme që ndodhin në vende të ndryshme të Europës, por thekson se, sipas tij, ekziston vetëm një parti parlamentare në kontinent që e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik që nga themelimi. Ai akuzon opozitën për mobilizim të grupeve që i cilëson si “paramilitarë”, të cilët sot, sipas Ramës, janë shndërruar në “mercenarë të rekrutuar nga rrugaçët e lagjeve”.

“Njerëz të maskuar, që fshehin fytyrën pas tabelave për t’i shpëtuar identifikimit nga kamerat, hidhen në veprime të dhunshme me molotovë, duke shkatërruar prona publike dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë”, shkruan Rama në reagimin e tij.

Në vijim, kreu i qeverisë e përshkruan protestën si një akt të shëmtuar që, sipas tij, ka lënë pas vetëm kaos dhe ndotje në bulevard, duke e krahasuar me një “jashtëderdhje në rrugë” të një organizimi të pashpresë politik.

Në përfundim të reagimit, Rama u shpreh solidar me efektivët e policisë që mbetën të lënduar gjatë protestës, duke u uruar atyre shërim të shpejtë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit