

Tiranë, 24 janar 2026
Përmbytjet dhe ngricat e ditëve të fundit kanë shkaktuar një goditje të rëndë për bujqësinë dhe ekonominë shqiptare, me dëme totale që, sipas vlerësimeve paraprake, mund të arrijnë deri në 300 milionë euro në vlerë tregu. Humbjet direkte për fermerët prodhues përllogariten në rreth 140–150 milionë euro, ndërsa efekti zinxhir në tregun e brendshëm dhe eksport përkeqëson ndjeshëm bilancin ekonomik.
Në Kosovë të Vogël të Lushnjës, fermeri Mirlind Saraçi ka humbur dy hektarë serra perimesh, me rreth 40 mijë euro investime të shkatërruara dhe mbi 100 mijë euro prodhim që nuk do të arrijë kurrë në treg. Ai thotë se përveç dëmit financiar, përmbytjet kanë shkatërruar cilësinë e tokës për vitet në vijim, duke e bërë rikuperimin një proces shumëvjeçar. “Askush nuk njoftoi për reshjet apo për hapjen e portave të HEC-eve”, shprehet ai, duke ngritur shqetësime për mungesën e paralajmërimit dhe koordinimit institucional.
Situata është e ngjashme në shumë zona të vendit. Në Samaticë të Beratit, fermerët raportojnë dëme të mëdha në serra, kultura fushore dhe pemëtore. Sipas Gentian Ziut, rreth 8 hektarë serra të sapombjella dhe 3.5 hektarë lakër gati për treg janë shkatërruar plotësisht, ndërsa dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në pjeshkë, ullinj, mandarina dhe portokaj. “Probleme me ngricat dhe probleme me përmbytjet, një goditje e dyfishtë”, thotë ai.
Analisti i bujqësisë Ilir Pilku vlerëson se dëmet vetëm për prodhuesit arrijnë rreth 150 milionë euro, bazuar në sipërfaqet e përmbytura, llojet e kulturave dhe kostot e prodhimit. Duke përfshirë vlerën në treg dhe eksport, humbjet dyfishohen në rreth 30 miliardë lekë, duke prekur të gjithë zinxhirin bujqësor, nga fermerët te qendrat e grumbullimit, eksportuesit dhe konsumatorët, të cilët pritet të përballen me rritje çmimesh.
Sipas të dhënave operative të Ministrisë së Bujqësisë, deri më 16 janar, përmbytjet dhe ngricat kanë prekur rreth 5 791 fermerë dhe 12 172 hektarë sipërfaqe bujqësore në rang vendi, si dhe 5 551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Qarqet më të goditura janë Fier, Berat, Korçë, Shkodër dhe Lezhë, me dëme të mëdha në drithëra, foragjere, perime në sera dhe pemë frutore.
Në Fier janë raportuar dëme të konsiderueshme në mbi 1 250 hektarë drithëra dhe 1 700 hektarë foragjere, si dhe rreth 300 mijë rrënjë pemë frutore. Në Korçë, mbi 1 360 hektarë drithëra dhe 415 hektarë foragjere janë dëmtuar, ndërsa Berati, Shkodra dhe Lezha përballen me humbje të gjera për shkak të përmbytjeve afatgjata të tokave.
Ekspertët vlerësojnë se humbjet financiare në bujqësi variojnë nga 14 deri në 30 miliardë lekë, në varësi të skenarëve të rendimentit dhe çmimeve. Perimet dhe luleshtrydhet në sera intensive përfaqësojnë goditjen më të madhe financiare, me humbje që arrijnë deri në 12 miliardë lekë, ndërsa drithërat, foragjeret dhe pemëtaria ndikojnë drejtpërdrejt edhe në sektorin e blegtorisë.
Edhe blegtoria dhe bletaria janë prekur ndjeshëm. Dëmtimi i bazës ushqimore, stallave dhe lagështia e zgjatur kanë rritur rrezikun për shëndetin e gjësë së gjallë. Humbjet në blegtori përllogariten nga 280 deri në 570 milionë lekë, ndërsa në bletari dëmet arrijnë deri në 15 milionë lekë.
Përmbytjet e janarit 2026 kanë shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha në banesa dhe infrastrukturë. Të paktën 1 587 banesa janë raportuar të përmbytura, ndërsa segmente të rëndësishme rrugore janë dëmtuar ose bllokuar, duke izoluar komunitete të tëra dhe duke rritur kostot e rikuperimit për buxhetin e shtetit.
Eksportet e frutave dhe perimeve, që në vitin 2025 arritën mbi 210 milionë euro, pritet të bien me 10–30% për shkak të dëmeve në serrat e specializuara për eksport, veçanërisht në zonat e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Eksportuesit paralajmërojnë se kjo rënie do të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet me tregjet e huaja, por edhe në punësimin rural dhe stabilitetin ekonomik.
Qeveria ka deklaruar se fermerët do të dëmshpërblehen, por fondet e emergjencave civile aktualisht mbulojnë më pak se 5% të dëmeve të deklaruara. Në mungesë të skemave funksionale të sigurimit bujqësor, barra e humbjeve mbetet kryesisht mbi fermerët, duke nxjerrë në pah edhe një herë dobësitë strukturore të sektorit përballë klimës ekstreme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






