Transmetuar më 25-01-2026, 08:01

TIRANË – Pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike, Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me shoqërimin e një të mituri, duke sqaruar se bëhet fjalë për një 14-vjeçar, dhe jo 10 vjeç siç u raportua fillimisht.

Sipas policisë, gjatë protestës së dhunshme janë shoqëruar gjithsej 23 persona, ndërsa 11 efektivë policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e hedhjes së gurëve, sendeve të forta, molotovëve dhe lëndëve piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Efektivët e dëmtuar kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.

Në njoftimin zyrtar thuhet se i mituri 14-vjeçar është konstatuar në flagrancë duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta ndaj shërbimeve të policisë dhe për këtë arsye është shoqëruar në Komisariatin nr. 1 në Tiranë për veprime procedurale.

Policia thekson se i mituri është trajtuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për të miturit dhe në asnjë moment nuk ka qenë në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar. “Ai ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, duke respektuar parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor”, bën me dije Policia e Shtetit.

Shoqërimi i 14-vjeçarit solli edhe reagime nga deputetët e PD-së, ndërsa disa prej tyre ishin edhe në Komisariatin numër 1 në Tiranë ku u përplasën me efektivët, si dhe kërkonin të takonin shefin e komisariatit, Elton Shani.

"Arrestimi i një fëmije vetëm për faktin se ndodhej në një protestë nuk ka asnjë bazë ligjore dhe tejkalon çdo kufi etik e moral. Ky nuk është zbatim i ligjit, por një keqpërdorim flagrant i autoritetit shtetërorKjo nuk është rend publik. Është dështim dhe degradim i institucioneve",- shkroi në rrjete soociale deputeti Bardh Spahia.

"Arrestimi i një fëmije vetëm pse ndodhej në një protestë kalon çdo kufi ligjor, etik dhe moral. Kjo nuk është zbatim ligji, por abuzim i hapur me pushtetin",- shkroi në rrjete sociale deputetja Jorida Tabaku.

"Një regjim që guxon të arrestojë një fëmijë 10-vjeç… Shtet horrash që mbron kriminelët dhe arreston fëmijët. Ky regjim ka kaluar çdo kufi, çdo moral, çdo njerëzi. Mjaft është mjaft! Fëmijët nuk preken",- shkroi në rrjete sociale deputetja Elda Hoti.

Rasti po hetohet edhe nga Avokati i Popullit, i cili ka dërguar përfaqësues në Komisariatin nr. 1, por edhe në rajonet e tjeratë policisë ku ka pasur persona të shoqëruar.

PD pretendon se në protestë është përdorur gaz lotsjellës i skaduar. Në rrjete sociale po qarkullon një foto ku një nga bombolat e hedhura për të shpërndarë protestuesit duket se ka datë skadence vitin 2023.

Më pas, pretendimi është sqaruar edhe nga deputeti Bardh Spahia, i cili ka shpjeguar se përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar mund të ketë efekte më të rënda shëndetësore, si irritime të forta të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes, vështirësi në frymëmarrje dhe reagime më të zgjatura tek personat e ekspozuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit