

Ndahet papritur nga jeta, në moshë ende të re, gjyqtari. Flet ish-sekretarja e tij, aktualisht avokate, Sabina Meta
Gjyqtari Albano Çepele është ndarë nga jeta në moshë ende të parakohshme pas një sëmundjeje të rëndë, raporton noa.al.
I ndjeri mori titullin Jurist nga Universiteti i Tiranës në qershor të vitit 1997 dhe në janar të 98-ës u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, ku e ushtroi funksionin deri në tetor vitit 2003.
Më vonë ai u transferuaa në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër ku shërbeu për 2 dekada deri në vitin 2023.
Ish-sekretarja e tij, aktualisht avokate, Sabina Meta, duke njoftuar vdekjen e të ndjerit, tregon:
"Albano Çepele ka ndërruar jetë. Për ata që nuk e njihnin, Albanoja ka punuar si gjyqtar në Shkodër. Ka qenë një njeri i drejtë, i ndershëm, korrekt dhe i pakorruptuar. Këtë e them me bindje të plotë, pasi kam qenë sekretarja e tij.
Albanoja, para se të ishte gjyqtar, ishte human. Respektonte çdo qenie njerëzore, duke filluar nga kolegët, gjyqtarët, prokurorët, avokatët, sekretarët, sanitarët dhe palët ndërgjyqëse. Karakterizohej nga qetësia dhe butësia, zemërgjerësia dhe humanizmi, por fatkeqësisht u largua padrejtësisht nga sistemi i vettingut, pasi nuk justifikonte pasurinë e tij, vetëm një shtëpi…
Familja e tij shiti shtëpinë në Fier dhe bleu një në Tiranë shumë e shumë vite më parë, por sipas komisionit të vettingut, ai nuk meritonte të kishte as shtëpi (pavarësisht se kishte punuar shumë kohë më parë emigrant). Madje, as familja e tij nuk meritonte të kishte shtëpi.
Albanoja nuk kishte as lekë për ilaçe, të cilat i merrnin të gjithë rrogën, për sa kohë ishte i punësuar. Kur e larguan nga sistemi, nuk kishte as mundësi për trajtim shëndetësor.
Ndjej një keqardhje të madhe për mikun dhe kolegun tim. Të qoftë dheu i lehtë, o njeri i mirë. Qofsh i parajsës. Shpirti yt pushoftë në paqe. Jam e sigurt se tashmë je në një botë më të mirë se kjo që le pas. Ky vend, këta njerëz nuk të merituan.
Qofsh mirë me Zotin, Albano. Më fal nëse nuk mora vesh më parë që paske qenë sëmurë rëndë, nuk piva një kafe me ty dhe nuk kisha dijeni për largimin tënd nga jeta, pasi sapo e mora vesh. Ma bëj hallall. Pushofsh në paqe, o njeri i ndershëm, i urtë dhe i mirë."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






