

Policia e Shtetit përgënjeshtroi sonte përgënjeshtrimin e Partisë Demokratike – që e akuzoi se përkundër deklaratave të bluve asnjë efektiv nuk gjendej në spitale – dhe nxori pamje të disa prej tyre.
Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës, njoftoi sonte policia.
Ajo tha se ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
"Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi", justifikon Policia e Shtetit veprimet e saj, pas denoncimit publik se është përdorur dhunë e ashpër policore me ujëhedhës me presion të lartë, gaz lotsjellës, për më tepër i skaduar dhe goditje fizike.
Duke u përqendruar te incidentet që përfshinë disa protestues, policia njofton se Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.
Po ashtu, shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.
Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneraliteteve dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






