Transmetuar më 24-01-2026, 22:03

Tiranë, 24 janar 2026

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka denoncuar publikisht se një fëmijë 10-vjeçar është shoqëruar nga policia dhe ndodhet në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e trajtimit të tij.

Në një komunikim për mediat nga jashtë komisariatit, Spahia deklaroi se, sipas raportimeve të deritanishme, gjatë ndërhyrjes policore janë shoqëruar gjithsej 23 persona. Sipas tij, mes tyre ndodhet edhe një fëmijë 10-vjeçar, i cili, sipas pretendimeve të PD-së, është shoqëruar pa praninë e psikologut dhe ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

“Ky është një fëmijë 10 vjeç që gjendet i shoqëruar në komisariatin nr. 1 të Tiranës. Është shoqëruar pa praninë e psikologut dhe i është bërë presion i jashtëzakonshëm. Aktualisht ndodhet në gjendje shoku psikologjik”, u shpreh Spahia, duke theksuar se rasti përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës.

Deputeti bëri thirrje për reagim institucional dhe sqarim të menjëhershëm nga autoritetet policore, ndërsa u kërkoi prindërve të fëmijës të informohen se ai ndodhet në Komisariatin nr. 1.

Deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këto pretendime, ndërsa pritet një qëndrim zyrtar për rrethanat e shoqërimit dhe procedurat e ndjekura në këtë rast.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit