

Peqin / Durrës, 24 janar 2026
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka publikuar pamjet nga operacioni i transferimit të të dënuarve dhe paraburgosurve nga IEVP Fushë-Krujë drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit, një proces që u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe pa asnjë incident.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij operacioni të mirëorganizuar janë transferuar gjithsej 142 persona, nga të cilët 85 janë dërguar drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës. Transferimi u realizua në zbatim të Planit të Masave nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe në kuadër të procesit të rikonstruksionit të institucionit të vuajtjes së dënimit në Fushë-Krujë.
Operacioni përfshiu angazhimin e forcave operacionale dhe speciale, punonjësve të specializuar si dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara. Në total, në terren u angazhuan 340 punonjës policie dhe 48 automjete, ndërsa u përdor teknologji bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe pajisje individuale komunikimi për çdo punonjës të përfshirë.
Drejtoria e Burgjeve theksoi se kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live gjatë gjithë operacionit, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale. Po ashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, si dhe komisariatet përkatëse.
Të dyja autokolonat mbërritën në destinacionet përkatëse pa incidente, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të sistemit penitenciar për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin me rigorozitet të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






