

TIRANË – Pas përfundimit të fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha, situata para godinës së Kryeministrisë u përshkallëzua, kur disa protestues hodhën molotov dhe sende të forta drejt ndërtesës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, duke krijuar një situatë të tensionuar dhe të rrezikshme përreth zonës së qendrës së Tiranës.
Pas incidentit, zona përreth Kryeministrisë u rrethua nga forcat e rendit dhe u konsiderua si “skenë krimi”, ndërsa ekspertët kriminalistë mbërritën në vendngjarje për të kryer verifikimet dhe dokumentimin e ngjarjes. Në terren janë vendosur shiritat e verdhë, ndërsa specialistët po punojnë për të mbledhur prova dhe për të identifikuar autorët e sulmit me molotov.
Pas shpërndarjes së protestuesve nga policia, disa grupe u drejtuan drejt godinës së Kuvendit, duke krijuar tension të mëtejshëm dhe duke detyruar autoritetet të rritin masat e sigurisë në zonë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit po monitorojnë çdo lëvizje për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






