

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk u pranua në ceremoninë e firmosjes së Bordit të Paqes, një iniciativë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Berisha shtoi se Rama nuk do të largohet nga drejtësia, por do të përmbyset nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve.
Në fjalimin e tij, Berisha akuzoi kryeministrin për drejtimin e një “organizate kriminale” dhe për lidhje me “narkoshtetin”, duke u shprehur se qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë situatë. Sipas tij, Rama ka bllokuar sistemin e drejtësisë për të mbrojtur veten dhe familjen, ndërsa ka vjedhur, siç u shpreh ai, “jo miliona, por miliarda”.
“Shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën nga drejtësia, por ai përmbyset nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve”, tha Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht se opozita është në “kilometrin e fundit” të betejës së saj, ajo do të triumfojë për shkak të krizës që po përjeton qeveria dhe për shkak të sfidave të brendshme në radhët e saj.
Berisha u ndal edhe te zhvillimet rreth Bordit të Paqes, duke thënë se Rama e ka përdorur ftesën si një arritje personale, por sipas tij, në ceremoninë e themelimit në Davos, kryeministrin nuk e kanë pranuar në sallë. Ai deklaroi se në të njëjtën kohë Rama ishte në Parlament duke reaguar ndaj opozitës.
Protesta e opozitës vijon me pjesëmarrje të qytetarëve në shesh, ndërsa forcat e rendit janë dislokuar në zonë për të ruajtur rendin publik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






