Transmetuar më 24-01-2026, 18:51

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim para protestuesve të mbledhur këtë të shtunë para Kryeministrisë, ku deklaroi se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës së saj politike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores tonë”, u shpreh Berisha, duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm në shesh dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.

Ai e cilësoi protestën si pjesë të një përballjeje të gjatë dhe të vështirë të opozitës, të cilën e përshkroi si një “maratonë” të shoqëruar me presione, dhunë politike dhe tentativa për izolimin e saj. Sipas Berishës, qëllimi i qeverisë ka qenë krijimi i një Shqipërie pa opozitë, por ky projekt, sipas tij, ka dështuar.

“Pavarësisht burgjeve, manipulimeve dhe presioneve, sot jemi më të fortë se kurrë. Jemi ngritur nga izolimi dhe kemi arritur në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët”, tha lideri demokrat.

Berisha shtoi se opozita ka arritur të fitojë mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë vendit, duke u shndërruar, sipas tij, në shpresën e vetme për ndryshim politik në Shqipëri.

Fjalimin e tij, kreu i PD-së e mbylli me një mesazh besimi dhe vendosmërie, duke theksuar se beteja politike e opozitës do të vazhdojë deri në realizimin e objektivave të saj.

Fjala:

Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, opozitarë dhe opozitare, të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni sonte. Të dashur shqiptare dhe shqiptarë kudo që ndodheni sonte. Përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur dhe guximtarë të kombit shqiptar, të pranishëm sonte në këtë shesh beteje dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Të nderuar drejtues të PD, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër dhe motra. Do ta nis këtë fjalë me një mesazh që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë.

Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë pa dyshim maratonë jo e lehtë. Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne.

Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë. Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm

Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve. Zoti u bekoftë!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit