

TIRANË – Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se protesta e opozitës është një reagim i domosdoshëm qytetar ndaj, sipas tij, korrupsionit dhe rrënimit ekonomik të vendit. Në një prononcim gjatë tubimit, Salianji theksoi se do të jetë gjithmonë në krah të protestuesve.
“Kam qenë në çdo protestë opozitare. I jam bashkuar Partisë Demokratike dhe opozitës dhe kam denoncuar çdo aferë korruptive të kësaj qeverie, nga lidhjet me krimin e organizuar te keqqeverisja”, u shpreh Salianji.
Ai deklaroi se dita e sotme është një moment kur qytetarët duhet të reagojnë për të larguar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion, varfërim dhe shkatërrim ekonomik të vendit. Sipas tij, dosjet e fundit të publikuara nga SPAK, përfshirë ato që lidhen me zëvendëskryeministren dhe AKSHI-n, kanë nxjerrë në pah lidhje mes krimit dhe pushtetit politik.
“Këto fakte tregojnë se kjo qeveri nuk ka më legjitimitet moral për të qeverisur. Kur vidhesh, je në të drejtën e vetëmbrojtjes për të reaguar”, tha Salianji, duke shtuar se qytetarët kërkojnë ndryshim, edhe pse jo të gjithë dalin fizikisht në shesh.
Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se angazhimi i tij politik është publik dhe në funksion të shoqërisë dhe Partisë Demokratike. “Shoqëria kërkon një PD fituese. Ripërtëritja e Partisë Demokratike i shërben jo vetëm opozitarëve, por gjithë shoqërisë”, u shpreh ai.
Salianji shtoi se pjesëmarrja e lartë e demokratëve në aktivitetet politike dhe protestat e fundit tregon se opozita ka mbështetje dhe se komunikimi me qytetarët do të vijojë për t’u përballur me çdo sfidë politike në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






