

TIRANË – Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka qenë i pari që ka mbajtur fjalën në protestën e opozitës që po zhvillohet para Kryeministrisë. Në fjalimin e tij, Boçi ka adresuar kritika të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar korrupsionin si problem themelor të vendit.
“Nuk jemi mbledhur as për t’u numëruar nga dronët e mediave të Edi Ramës, të cilat i kemi pasur dhe i kemi mbi kokë”, deklaroi Boçi, duke shtuar se protesta nuk është thirrur as për t’u parë me urrejtje, por për të reaguar ndaj asaj që ai e cilësoi si padrejtësi dhe keqqeverisje.
Sipas deputetit demokrat, korrupsioni në Shqipëri mban emrin e kryeministrit. “Është ai, Edi Rama, që pak prej neglizhencës sonë politike, pak nga humori i tij dhe më së shumti nga krimi i organizuar, e ka kthyer Republikën e Shqipërisë në Republikën e Korrupsionit”, u shpreh Boçi.
Ai akuzoi kryeministrin se ka marrë peng shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë rininë, fermerët, bizneset, pensionistët, mjekët, mësuesit dhe qytetarët në tërësi. “Kur përmendet emri i këtij njeriu, edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis me këtë emër”, tha deputeti i PD-së.
Ndërkohë, protesta e opozitës vijon në shesh, ndërsa pjesëmarrësit janë mbledhur përpara Kryeministrisë nën masa të forta sigurie. Pamje dhe foto nga tubimi janë publikuar edhe nga media të ndryshme.








Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






