

SHKODËR – Një grabitje është shënuar pasditen e sotme në lagjen “Vojo Kushi” në Shkodër. Rreth orës 15:30, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë në ambientet e Kredo, një subjekt kredidhënës, duke mbajtur në dorë një mjet të fortë, dyshohet çekiç, dhe nën kërcënimin e tij ka marrë një shumë monetare, për t’u larguar më pas nga vendngjarja.
Sipas informacioneve paraprake, nga dega e Kredo janë marrë rreth 1 milion lekë të vjetra. Burime jozyrtare bëjnë me dije se autori dyshohet të jetë rreth 15–16 vjeç, ndërsa jashtë ambientit e ka pritur një automjet, me të cilin është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë dhe në akset përreth, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin ligjor të rastit, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






