

TIRANË – Ka nisur këtë të shtunë protesta e dytë kombëtare e thirrur nga opozita, e cila po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Tubimi organizohet kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama dhe po shoqërohet me masa të forta sigurie.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia e PD-së dhe, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe drejtues të tjerë të kësaj force politike, i është bashkuar protestuesve në sheshin kryesor.
Në terren janë angazhuar rreth 1 mijë e 350 efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët janë vendosur në pika strategjike për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Si pjesë e planit të masave, disa nga rrugët kryesore në qendër të Tiranës janë bllokuar, ndërsa perimetri rreth Kryeministrisë është fortifikuar.
Gjatë deklarimeve të tij, kreu i Partisë Demokratike e ka cilësuar këtë tubim si “ditën e gjykimit”, duke theksuar se qytetarët do të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë. Sipas Berishës, kjo protestë pritet të jetë ndër më të mëdhatë e zhvilluara ndonjëherë në kryeqytet.
Protesta po zhvillohet nën vëzhgimin e forcave të rendit, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të ligjit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






