

FRANCË – Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle ka dënuar me burgim të përjetshëm 27-vjeçarin Liridon Berisha për vrasjen e partneres së tij, Stephanie Di Vincenzo, një krim i ndodhur natën mes 23 dhe 24 majit 2021 në Hayange, në departamentin Moselle.
Pas katër ditësh seancash dhe debat gjyqësor, trupi gjykues vendosi që dënimi të shoqërohet me një periudhë 18-vjeçare pa të drejtë lirimi me kusht. Në vendimin e shkallës së parë, të dhënë në vitin 2024, kjo periudhë ishte caktuar 22 vjet, maksimumi i parashikuar nga ligji francez, raporton agjencia AFP.
Sipas hetimeve dhe dëshmive të paraqitura në gjykatë, viktima, 22 vjeçe, u godit për vdekje me thikë në mes të rrugës, para syve të fëmijës 4-vjeç të çiftit. Ajo kishte tentuar të kërkonte ndihmë duke iu drejtuar komisariatit të policisë së Hayange, i cili ndodhej vetëm pak metra larg banesës së saj, por u ndoq dhe u sulmua nga partneri.
Prokurori i përgjithshëm, Nicolas Burkel, e cilësoi ngjarjen si një akt “jashtë çdo norme për nga niveli i dhunës”, duke theksuar se as prania e dëshmitarëve dhe as ajo e fëmijës së mitur nuk e ndalën autorin. Ai kërkoi konfirmimin e dënimit maksimal, duke e quajtur atë një “dënim të eliminimit shoqëror”.
Nga ana e mbrojtjes, avokati Arnaud Blanc deklaroi se klienti i tij kishte pasur një fëmijëri të vështirë, duke përmendur se ishte lindur gjatë luftës në Kosovë dhe ishte rritur në një mjedis familjar të dhunshëm pas mbërritjes në Francë. Megjithatë, këto argumente nuk u konsideruan lehtësuese nga gjykata.
Ngjarja shkaktoi reagime dhe polemika të forta në opinionin publik francez, pasi autoritetet kishin ndërhyrë rreth dhjetë herë më parë në banesën e çiftit për konflikte familjare. Disa muaj para vrasjes, viktima kishte depozituar një kallëzim për dhunë, i cili nuk ishte përcjellë në prokurori, fakt që ka ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






