

BRINDISI – Prokuroria e Brindisit në Itali ka nisur hetimet ndaj tre personave me origjinë shqiptare, të cilët dyshohen se kanë luajtur rol kyç në trazirat e shkaktuara në aeroportin e Brindisit, pas devijimit të dy fluturimeve të kompanisë Wizz Air drejt këtij aeroporti.
Nata mes 6 dhe 7 janarit u shndërrua në kaos në aeroportin e Brindisit, kur dy fluturime të Wizz Air me destinacion Tiranën, nga Bergamo dhe Bolonja, u devijuan drejt aeroportit të Salentos për shkak të kushteve të këqija të motit në Shqipëri. Vendimi për devijimin e avionëve shkaktoi reagim të ashpër nga një pjesë e pasagjerëve, të cilët u mblodhën në pistë, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë.
Sipas autoriteteve italiane, tre persona me origjinë shqiptare, të identifikuar përmes kamerave të sigurisë së aeroportit, dyshohet se kanë pasur rol kyç në përshkallëzimin e trazirave, për shkak të sjelljes agresive dhe aftësisë për të nxitur pasagjerë të tjerë të bashkoheshin me protestën.
Prokuroria e Brindisit ka nisur hetime ndaj tyre për disa vepra penale, përfshirë prishje të shërbimit publik, sulm dhe kërcënime ndaj një zyrtari publik, dëmtim të rëndë të pronës publike, pushtim arbitrar të ambienteve publike dhe shkelje të rregulloreve të sigurisë aeroportuale.
Tre të dyshuarit u identifikuan gjatë kontrolleve kufitare në terminalin e Costa Morena-s, në momentin kur po përgatiteshin të hipnin në tragetin drejt Vlorës. Ndërkohë, pasagjerët e tjerë u përballën me orë të tëra tensioni, pasi u detyruan të braktisnin udhëtimin ajror drejt Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, në fund të incidentit, të gjithë pasagjerët u kthyen në Shqipëri me mjete alternative udhëtimi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






