

Projektligji “Për censin e Bujqësisë” ka kaluar të gjitha hallkat e konsultimit publik dhe institucional dhe pritet të nisë brenda këtij viti për të mbledhur të dhëna mbi tablonë e tokës bujqësore dhe blegtorisë në vend, të dhënat që sipas ekspertëve të pushtetit vendor do të krijojnë një pasqyrë të ekonomisë rurale.
Këshilli Konsultativ mes Qeverisjes Qendrore dhe Vendore shqyrtoi në dhjetor projektligjin e qeverisë “Për censin e Bujqësisë”, një nismë që synon të mbledhë të dhënat bazë për tokat bujqësore dhe blegtorinë në territorin e vendit, që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 890 milionë lekë.
E parashikuar në strategjinë statistikore të INSTAT për periudhën 2022-2026, ky cens pritet të realizohet brenda këtij viti, katërmbëdhjetë vjet pas censit të fundit të situatës së bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri.
Objektivat e censit synojnë të sigurojnë mbledhje të dhënash të hollësishme, të besueshme dhe statistikore për tokat bujqësore, pyjet, livadhet, kopshtet, bagëtitë, shpendët, etj.. për të gjithë individët apo fermat, që në projektligj identifikohen me termin “njësitë ekonomike bujqësore”.
Të dhënat do të shërbejnë, sipas relacionit, për planifikimin dhe vënien në zbatim të politikave të përgjithshme të zhvillimit ekonomik bujqësor dhe krijimin e një regjistri statistikor.
Relacioni i paraqitur në Këshill nga Ministria e Bujqësisë, që BIRN e disponon, tregon për një konsultim të nismës mes ministrive dhe institucioneve që do të kenë rol në realizimin e këtij projekti, si ajo Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si ministri përgjegjëse, e Drejtësisë, e Financave, Drejtoria e Kadastrës, etj..
Qeveria pretendon se “regjistrimi i Bujqësisë”do të jetë një mjet kyç për të kuptuar thellësisht peizazhin bujqësor të vendit, është i përafruar me legjislacionin e BE-së dhe siguron që të dhënat bujqësore të Shqipërisë të jenë të krahasueshme dhe të përdorshme në nivel evropian.
Ministria e Financave arsyeton se kostoja totale e parashikuar për realizimin e këtij censi madhor vlerësohet në 890.91 milionë lekë dhe se këto shpenzime do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera donatorësh. Më shumë se gjysma e tyre do të shkojnë për pagesat e burimeve njerëzore, ndërsa pjesa tjetër për dieta udhëtimi, pajisje dhe fushatat e publicitetit.
Gjatë konsultimeve publike, janë pranuar dhe rekomandime nga organizata të shoqërisë civile, si përfshirja e komponentit gjinor në mbledhjen e statistikave që vjen si rekomandim i UN Women dhe një propozim nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare që pyjet dhe kullotat në pronësi publike të përfshihen në fushën e zbatimit të këtij censusi në rastet kur shfrytëzohen drejtpërdrejt nga ‘Njësitë ekonomike bujqësore” për aktivitetin e tyre bujqësor ose blegtoral.
Ekspertët e pushtetit vendor e shohin këtë nismë si një mundësi të mirë për rritjen e kapaciteteve planifikuese të njësive vendore për politikat rurale të mëtejshme.
Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, anëtar i Këshillit Legjislativ mes qeverisë qendrore dhe vendore, i tha BIRN-it se “Censi i Bujqësisë është një mjet pune për 61 bashkitë dhe 12 qarqet, që i lejon të planifikojnë zhvillimin rural mbi nevojat reale të fermerëve, jo mbi hamendësime”.
Sipas tij, kjo do të rrisë aftësitë e politikëbërjes përmes përdorimit të makro-datave në politikat e zhvillimit.
Nga ana tjetër, Haxhimali thotë se censi do të japë një pasqyrë të ekonomisë rurale, “për të ditur kush prodhon, çfarë prodhon dhe në çfarë kushtesh, në mënyrë që politikat rurale të përshtaten sipas territorit dhe potencialit të çdo bashkie”.
Rezultatet e pritshme të të dhënave që do të mblidhen nga censi pritet të krijojnë, sipas tij, “një hartë të saktë të tokës bujqësore, fermave, blegtorisë dhe punësimit rural”, duke dalluar qartë prioritetet mes qarqeve dhe bashkive.
Nga pikëpamja e pushtetit vendor, Haxhimali beson se bashkitë do të përfitojnë nga të dhënat e censit, pasi ato do t’u shërbejnë bashkive për vendimmarrje më të mirë për investime, subvencione, infrastrukturë rurale dhe shërbime, sipas nevojave konkrete të zonave të tyre por dhe për konkurencë ekonomike ndërbashkiake dhe rajonale./ BIRN
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






