Transmetuar më 24-01-2026, 13:12

TIRANË – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e opozitës e cila pritet të zhvillohet sot në kryeqytet.

Në njoftimin zyrtar, ambasada këshillon qytetarët që të shmangin zonat e demonstratës, të mbajnë një profil të ulët dhe të kenë një plan emergjence.

Sipas ambasadës, protestat dhe tubimet e mëdha mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por situata mund të ndryshojë shpejt.

Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Detajet e njoftimit të ambasadës:

– Data dhe ora e protestës: 24 janar 2026, ora 17:00

– Vendi: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, pranë ndërtesës së Kryeministrisë

– Pritshmëri: prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, ndërprerje trafiku dhe bllokime në disa kryqëzime

Ambasada thotë se Policia e Shtetit ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në disa zona të Tiranës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.

Udhëzime për qytetarët amerikanë:

– Shmangni zonat e protestës

– Mbani një profil të ulët

– Kujdes me përdorimin e telefonit dhe kufjeve në publik

– Keni një plan emergjence ose rrugë alternative për dalje nga zona

– Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të rendit

Reagime dhe situata në terren:

Protesta e sotme e opozitës vjen pas thirrjeve të liderëve politikë për mobilizim në Tiranë, ndërsa autoritetet e rendit kanë njoftuar masa për sigurimin e tubimit dhe për parandalimin e incidenteve.

Ndërkohë, qytetarët e Tiranës janë të paralajmëruar për mundësi bllokimesh rrugësh dhe vonesa në trafikun urban, sidomos në zonën qendrore dhe në aksin që lidh Sheshin “Skënderbej” me zonën e Kryeministrisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit