Transmetuar më 24-01-2026, 12:34

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë finalizuar operacionin e koduar “Lista”, në kuadër të të cilit u arrestuan 5 shtetas, mes tyre edhe një shtetas gjeorgjian, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje me dhunë, vjedhje, falsifikim kartëmonedhash dhe dhunë në familje.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimet u realizuan si rezultat i kontrolleve sistematike të mbështetura në punën operative për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Në detaje:

Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 6 dhe Nr. 3, në vijim të operacionit “Reaction”, arrestuan shtetasin G. L., 35 vjeç, me precedent penal në fushën e vjedhjes. Ai dyshohet se më 14 dhjetor 2025, në bashkëpunim me shtetasit M. A. (i arrestuar menjëherë pas ngjarjes) dhe E. H. (ende në kërkim), ka ushtruar dhunë ndaj një shitësi për t’i vjedhur një shumë parash. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se më 26 dhjetor 2025, ai ka kryer një tjetër vjedhje në një subjekt tregtar. Policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit dhe zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit “Wrong Delivery”, ndaluan shtetasin A. P., 20 vjeç, i dyshuar se në bashkëpunim me katër persona të arrestuar më herët, është përfshirë në veprimtarinë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.

Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 kapën shtetasin Sh. C., 49 vjeç, i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga Gjykata me 8 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin gjeorgjian T. P., 41 vjeç, i dyshuar se më 13 janar 2026 ka vjedhur një shumë parash në një tabakino.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin M. L., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Policia bën me dije se kontrollet vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit