

BERLIN – Legalizimi i kanabisit në Gjermani po shoqërohet me pasoja shqetësuese për shëndetin mendor, veçanërisht tek të rinjtë. Një studim i publikuar së fundmi në revistën mjekësore gjermane Deutsches Ärzteblatt tregon se rastet e psikozave të shkaktuara nga kanabisi janë thuajse dyfishuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për legalizimin e tij.
Sipas studimit, shqetësimet e shprehura më herët nga shoqatat mjekësore rezultojnë të bazuara, pasi konsumimi i kanabisit paraqet rreziqe të shtuara për të rinjtë, truri i të cilëve nuk është zhvilluar plotësisht deri rreth moshës 25 vjeç. Për këtë arsye, disa organizata shëndetësore kanë kërkuar që përdorimi i kanabisit të lejohet vetëm për personat mbi 21 vjeç.
Psikozat janë çrregullime të rënda mendore të karakterizuara nga halucinacione, paranojë dhe iluzione. Në disa raste, simptomat zhduken pas disa ditësh ose javësh, por tek një pjesë e pacientëve ato mund të përsëriten ose të zgjasin gjatë gjithë jetës.
Krahasimi i të dhënave para dhe pas legalizimit
Legalizimi i kanabisit në Gjermani hyri në fuqi më 1 prill 2024. Studiuesit analizuan shifrat e shtrimeve në spitalet e qarkut Schwaben, në jug të vendit, për periudhën nga 1 prilli 2022 deri më 31 mars 2025.
Studimi përfshiu persona mbi 18 vjeç të shtruar në spital me diagnoza si: psikozë e shkaktuar nga kanabisi, çrregullim nga përdorimi i kanabisit dhe çrregullime psikotike jo-organike nga spektri i skizofrenisë. Të dhënat tregojnë se pas legalizimit, numri i pacientëve me psikozë të lidhur drejtpërdrejt me kanabisin ishte pothuajse dy herë më i lartë krahasuar me periudhën para ligjit.
Meshkujt më të rrezikuar
Një studim i kryer në Danimarkë tregon se meshkujt e rinj janë më të prekur nga skizofrenia e lidhur me konsumimin e kanabisit, krahasuar me femrat. Sipas këtij studimi, rreth 15 për qind e rasteve të skizofrenisë tek meshkujt e rinj mund të parandalohen nëse kufizohet përdorimi i tepërt i kanabisit.
Rrezik i shtuar edhe për demencë
Ndërkohë, një studim i publikuar në vitin 2025 në revistën JAMA Neurology në Kanada sugjeron se përdorimi i lartë i kanabisit mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e demencës. Studimi zbuloi se personat mbi 45 vjeç, të cilët kishin pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të konsumit të kanabisit, shfaqnin më shpesh demencë në vitet në vijim.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto të dhëna lidhen me raste të konsumit të rëndë dhe mbetet ende e paqartë se sa i lartë është rreziku për ata që përdorin kanabisin në mënyrë të moderuar dhe pa pasoja që kërkojnë trajtim spitalor.
Burimi: DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






