

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas aksionit të Prokurorisë lidhur me dyshimet për manipulime votash brenda subjekteve politike, ku sipas autoriteteve janë arrestuar mbi 100 persona.
Përmes një reagimi në Facebook, Kurti thekson se komisionerët dhe individët e përfshirë në manipulime nuk do të përfitojnë asnjë amnisti, duke kërkuar që hetimet të shkojnë deri në fund.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, shkruan Kurti.
Kreu i qeverisë nënvizon se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe do të mbetet gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të qytetarëve, ndërsa thekson se Republika e Kosovës është shembull i demokracisë dhe proceseve zgjedhore në rajon.
Sipas tij, adresimi i çdo dyshimi për manipulime përmes ligjit dhe llogaridhënies është i domosdoshëm për integritetin e procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen dhe manipuluesit duhet të ndëshkohen”, përfundon Kurti.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






