Transmetuar më 24-01-2026, 10:37

Tiranë – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë për anëtarët e grupit kriminal të njohur si “Rraja”. Mes personave të ndaluar është edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraha.

Sipas vendimit të Apelit, në burg janë lënë shtetasit: Islam Sefa, Rexhep Rraja, Perparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Zamir Aliaj, Jani Cavo dhe Marvin Bushati.

Grupi është zbuluar pas përgjimeve të realizuara përmes aplikacionit SKY ECC dhe akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe veprimtari të grupit të strukturuar kriminal.

Në vendimin e datës 24.01.2026, Apeli i Posaçëm:

Miratoi masën e sigurimit “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për të gjithë anëtarët e grupit.

Konfirmoi marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës për të njëjtit persona.

Sqaroi se kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Njoftimi i GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit