

Kosovë, 24 janar 2026 – Përdorimi i substancave narkotike tek të miturit në Kosovë po shënon rritje shqetësuese, duke përfshirë edhe fëmijë të moshës 9–10 vjeç, sipas institucioneve shëndetësore dhe organizatave që merren me trajtimin e varësisë.
Flutura nga Prishtina rrëfen për Radion Evropa e Lirë se vajza e saj nisi përdorimin e drogës në moshën 16-vjeçare, pa u vënë re fillimisht nga familja. “Momenti kur e kuptova ishte sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, thotë ajo. Pavarësisht përpjekjeve për ta ndihmuar, vajza u rikthye sërish në përdorimin e drogës, duke humbur gjithçka që kishte ndërtuar.
Sipas Fluturës, ndikimi i shoqërisë ishte faktor vendimtar, pasi vajza e saj u lidh me persona që kishin nisur përdorimin e drogës që në moshë shumë të hershme.
Historia e saj nuk është rast i izoluar. Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, konfirmon se mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë ka rënë në rreth 16 vjeç, nga mbi 21 vjeç më parë. Ai thotë se klinika ka trajtuar edhe fëmijë të moshës 9–10 vjeç, për të cilët prindërit kanë kërkuar ndihmë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika e Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë ka pranuar 28 raste, kryesisht përdorues të marihuanës, por edhe raste me përdorim kokaine. Sipas mjekëve, shumica e pacientëve janë ende në trajtim.
Të dhënat institucionale tregojnë se në Kosovë ka rreth 40 mijë përdorues droge, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë dhënë mbi 30 mijë shërbime psikiatrike dhe janë regjistruar mbi 150 raste të reja të varësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni është shtrirë edhe në zona rurale dhe fshatra, ndërsa kanabisi mbetet substanca më e përdorur. Megjithatë, përdorimi i kokainës dhe medikamenteve pa recetë është në rritje, veçanërisht tek të rinjtë e moshës 14–17 vjeç.
Qendrat e trajtimit dhe spitalet në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe qytete të tjera raportojnë rritje të kërkesave për ndihmë, ndërsa mjekët theksojnë se shumica e rasteve paraqiten vetëm kur situata bëhet e rëndë.
Sipas specialistëve, faktorët kryesorë që çojnë drejt përdorimit të drogës janë problemet familjare, ndikimi i shoqërisë, mungesa e perspektivës dhe vështirësitë socio-ekonomike. Ata nënvizojnë mungesën e një qendre kombëtare për rehabilitim dhe trajtim afatgjatë.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Strategjia Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028 është në zbatim dhe synon forcimin e parandalimit, trajtimit dhe bashkëpunimit institucional.
Megjithatë, për prindër si Flutura, pasojat janë të pakthyeshme. “Ajo ka humbur gjithçka”, thotë ajo, ndërsa çdo lajm për drogën mbetet një alarm i vazhdueshëm për familjen e saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






