Transmetuar më 24-01-2026, 09:53

Korçë, 24 janar 2026 – Një operacion i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Korçë ka përfunduar me arrestimin e një personi dhe procedimin penal të disa të tjerëve, për veprimtari të paligjshme që lidhen me organizimin e lojërave të fatit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Aksioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një lokal të përshtatur për organizimin e lojërave të fatit, poker dhe bixhoz të paligjshëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në fshatin Bulgarec, shërbimet e Policisë konstatuan gjithashtu praninë e lëndëve narkotike.

Si rezultat i operacionit të koduar “Organizatori”, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i lokalit. Ai akuzohet për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 14 doza lënde të dyshuar kokainë, shuma parash në valuta të ndryshme, një automjet, 8 telefona celularë, letra bixhozi dhe çipsa që përdoreshin për zhvillimin e lojërave të fatit. Po ashtu, nga këqyrja e celularit të të arrestuarit, u konstatuan faqe aktive për baste sportive.

Në vijim të veprimeve procedurale, 14 shtetas u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndërsa 3 të tjerë për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi tentuan të fshihnin prova gjatë ndërhyrjes së Policisë.

Gjithashtu, u procedua penalisht edhe një punonjës policie, i cili ndodhej i pranishëm në ambient dhe nuk kishte përmbushur detyrimet që rrjedhin nga funksioni i tij. Ndaj tij ka nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”.

Vihet në pranga pronari i një lokali që organizonte lojëra fati dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë, në lokal.

Procedohen penalisht 14 shtetas për moskallëzim krimi, 3 të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Procedohet penalisht dhe një punonjës policie dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor.

Sekuestrohen kokainë, vlera monetare, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave “Për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale “Shqiponjat”, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Korçë–Elbasan, finalizuan operacionin e koduar “Organizatori”.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, u konstatua se 57-vjeçari kishte përshtatur ambientin për kryerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge.

Ndërkohë, në banak u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë në këtë ambient, disa shtetas tentuan të fshihnin provat dhe, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasit:

R. K., banues në Korçë;

F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë;

H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për 14 shtetas të tjerë, të cilët, edhe pse kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, nuk e kallëzuan tek organet policore.

Për shkak se ishte prezent në këtë ambient dhe nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i detyrës, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin D. L., me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë. Njëkohësisht, ndaj tij filloi edhe hetimi disiplinor.

Në përfundim të operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit