

Foto ilustruese
Orikum, 24 janar 2026 – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar masa sigurie ndaj tre punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilëve u është caktuar masa “arrest në shtëpi” me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Të dyshuarit janë:
D. L., inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum
A. J., shef i Stacionit të Policisë Orikum
A. F., specialist i policimit në zonë
Ata akuzohen për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas AMP-së, në shtator të vitit të kaluar, tre punonjësit e policisë dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar shumën prej 270 mijë lekësh nga një shtetas, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale, duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur funksionin e tyre.
Hetimi disa mujor, i zhvilluar me metoda speciale nën drejtimin e SPAK, ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë së dyshuar korruptive të punonjësve të policisë.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje ligjore nga punonjësit e strukturave shtetërore.
Denoncimet mund të bëhen në numrin e gjelbër 0800 9090, në adresën elektronike [email protected] , përmes WhatsApp në 069 41 51 511, ose në aplikacionin “Agjencia Digjitale”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






