

Brazil, janar 2026 Emërimi i Carlo Ancelottit në krye të kombëtares së Brazilit u shoqërua fillimisht me debate të forta dhe skepticizëm të hapur. Italiani u bë trajneri i parë evropian dhe praktikisht menaxheri i parë i huaj që u ul në stolin legjendar të “Seleçaos”, një vend që tradicionalisht ishte rezervuar vetëm për figura vendase.
Megjithatë, në më pak se një vit, “Carletto” – siç njihet tashmë në Brazil – ka arritur të përmbysë perceptimin publik. Me qasjen e tij pragmatike, përvojën e jashtëzakonshme dhe autoritetin e fituar në dekada suksesi, Ancelotti ka fituar jo vetëm besimin e tifozëve, por edhe respektin e kritikëve më të ashpër, duke dëshmuar se pasaporta ka pak rëndësi kur përballë ke një mjeshtër të futbollit.
Sipas burimeve pranë Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), në javët e fundit janë zhvilluar kontakte intensive mes palëve, ndërsa Ancelotti ndodhej me pushime mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Këto bisedime kanë çuar në një marrëveshje verbale për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030, duke garantuar edhe një cikël të dytë Botërori në krye të Brazilit.
Kontrata aktuale e teknikut italian skadon pas Kupës së Botës 2026, por CBF synon ta blindojë projektin afatgjatë. Ancelotti është aktualisht trajneri më i paguar në botë në nivel kombëtaresh, me një pagë vjetore prej rreth 10 milionë eurosh, pa përfshirë bonuset e performancës.
Një nga klauzolat më të rëndësishme të marrëveshjes aktuale është një superbonus prej 5 milionë eurosh, i cili aktivizohet në rast se Ancelotti fiton Kupën e Botës, trofe që do të ishte i gjashti në historinë e Brazilit.
Kontrata e re pritet të ruajë të njëjtën bazë financiare, por do të përfshijë bonuse të zgjeruara për sukseset në kompeticione madhore, si Copa América, një turne ku Brazili ka pasur rënie të ndjeshme të rezultateve vitet e fundit pas dekadave dominimi.
Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes së re pritet të ndodhë në muajin shkurt, pas rikthimit të Ancelottit në rezidencën e tij në Rio de Janeiro, pas pushimeve të fundvitit. Një akt që do të konfirmonte jo vetëm besimin e federatës, por edhe një kapitull të ri në historinë moderne të kombëtares braziliane.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






