

Si pasojë e depërtimit të masave ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë perëndimore, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Gjatë paradites, vranësirat dhe reshjet e shiut do të jenë të pranishme kryesisht në zonat bregdetare dhe në ultësirën perëndimore, ndërsa reshje dëbore do të shënohen vetëm në zonat e thella malore. Pjesa e dytë e ditës pritet të sjellë shtim të vranësirave dhe intensifikim të reshjeve në të gjithë territorin, me shira më të dendura në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore të vendit.
Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje në të dy vlerat ekstreme ditore, duke u luhatur nga 1°C, vlera minimale e regjistruar në Bulqizë, deri në 16°C, maksimumi që pritet të shënohet në qarkun e Fierit.
Era do të fryjë e fortë, kryesisht nga drejtimi jugor, me shpejtësi që në disa momente do të tejkalojë 75 km/h. Si pasojë, në brigjet detare pritet dallgëzim i theksuar, deri në 5 ballë, duke krijuar vështirësi për lundrimin detar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






