

Madrid, 23 janar 2026 Hetimet paraprake për përplasjen tragjike të dy trenave të shpejtë në Spanjë, ku humbën jetën 45 persona, kanë nxjerrë në pah një pistë shqetësuese: shinat e hekurudhës dyshohet se ishin çarë para aksidentit. Ky përfundim paraprak përfshihet në raportin e publikuar të premten nga Komiteti për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore (CIAF).
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 janarit në rajonin jugor të Andaluzisë, kur një tren i operuar nga kompania private Iryo doli nga shinat dhe kaloi në korsinë e kundërt, duke u përplasur ballë për ballë me një tren të kompanisë shtetërore Renfe. Aksidenti ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e rrjetit spanjoll të trenave me shpejtësi të lartë, i dyti më i madh në botë.
Sipas raportit preliminar, inspektimi teknik i trenit Iryo zbuloi prerje në rrotat anësore të djathta të katër vagonëve. Hetuesit theksojnë se këto dëmtime, së bashku me deformimet e konstatuara në shina, janë “të përputhshme me hipotezën se shina ishte e çarë”. Prerje të ngjashme janë gjetur edhe në rrotat e tre trenave të tjerë që kishin kaluar në të njëjtin segment disa orë para aksidentit, çka forcon dyshimet se problemi kishte ekzistuar më herët.
Bazuar në këto të dhëna, CIAF sugjeron se çarja e shinës ka ndodhur përpara kalimit të trenit që doli nga shinat, duke çuar më pas në devijimin fatal. Megjithatë, komiteti thekson se kjo mbetet një hipotezë që duhet të verifikohet përmes analizave të mëtejshme teknike dhe llogaritjeve të detajuara.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e cilësoi “qetësuese” faktin që hetuesit kanë identifikuar një shkak të mundshëm, duke shtuar se gjetjet, edhe pse jo përfundimtare, hedhin dritë mbi pistën që aktualisht konsiderohet më e besueshme. Ai sqaroi se çarja e shinës ka gjasa të ketë qenë shumë e vogël, pasi nëse do të ishte më e thellë do të kishte ndërprerë energjinë elektrike dhe do të kishte aktivizuar automatikisht sistemet e alarmit dhe ndalimin e trafikut hekurudhor.
Autoritetet kanë përjashtuar gabimin njerëzor si shkak të aksidentit, duke nënvizuar se të dy trenat po lëviznin brenda kufijve të lejuar të shpejtësisë. Segmenti i hekurudhës ku ndodhi tragjedia ishte rinovuar së fundmi, ndërsa treni i kompanisë Iryo ishte prodhim i vitit 2022.
Spanja disponon rrjetin më të madh të trenave të shpejtë në Evropë, me mbi 3 mijë kilometra linja që lidhin qytetet kryesore si Madridi, Barcelona, Sevilja, Valencia dhe Malaga. Hetimet pritet të vazhdojnë në javët në vijim, ndërsa autoritetet janë nën presion të fortë për të garantuar se një tragjedi e tillë nuk do të përsëritet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






