Transmetuar më 23-01-2026, 22:22

Prizren, 23 janar 2026 Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 persona për 48 orë, nën dyshimet për manipulim masiv të votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Lajmi u bë i ditur nga kryeprokurori Petrit Kryeziu, i cili konfirmoi se shumica e të ndaluarve janë komisionerë zgjedhorë, ndërsa mes tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Sipas Prokurorisë, personat e ndaluar dyshohen për një sërë veprash penale, përfshirë falsifikim të rezultateve zgjedhore, ushtrim presioni dhe kanosjeje, si dhe dhënie e marrje ryshfeti. Hetimet kanë zbuluar se manipulimet kanë ndodhur kryesisht në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren, duke prekur drejtpërdrejt votat e kandidatëve për deputetë.

Kryeprokurori Kryeziu theksoi se një ndërhyrje e tillë në shkallë të gjerë nuk mund të ishte realizuar pa një marrëveshje mes komisionerëve të katër subjekteve më të mëdha politike. Sipas tij, vetëm një vendnumërim ka rezultuar pa parregullsi, ndërsa për një kandidat të vetëm janë konstatuar mbi 6 mijë vota të falsifikuara.

Të dhënat paraprake të hetimit flasin për shifra të konsiderueshme manipulimi: rreth 40.497 vota janë shtuar në mënyrë të paligjshme dhe 27.520 vota janë hequr, duke e çuar diferencën totale të keqpërdorimeve në mbi 68 mijë vota vetëm në komunën e Prizrenit.

Prokuroria konfirmon se disa komisionerë kanë bashkëpunuar me hetuesit, duke dhënë dëshmi mbi presionet e ushtruara dhe skemat e ryshfetit. Deri më tani, asnjë kandidat për deputet nuk është marrë në pyetje si i dyshuar, për shkak të mungesës së provave direkte, por ata mund të thirren në cilësinë e të dëmtuarve.

Nga Policia e Kosovës u bë e ditur se operacioni në Prizren është një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë në këtë rajon, si për nga numri i të ndaluarve, ashtu edhe për nga përfshirja e forcave policore. Në operacion morën pjesë katër prokurorë të Departamentit për Krime të Rënda dhe rreth 200 zyrtarë policorë, ndërsa për shkak të kapaciteteve, një pjesë e të ndaluarve u transferuan në qendrat e ndalimit në Prishtinë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka autorizuar Policinë e Kosovës që në komunën e Malishevës të identifikojë persona dhe prova lidhur me dyshime të ngjashme për manipulim votash.

Aksioni në Prizren vjen në vijim të dyshimeve serioze për parregullsi të mëdha zgjedhore, çka e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të nisë rinumërimin e plotë të votave, proces që po vijon prej disa ditësh. Rinumërimi pritet të mos ndryshojë rezultatin mes partive, por mund të vonojë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje me mbi 51 për qind të votave, duke siguruar 57 mandate në Kuvendin e Kosovës, ndërsa hetimet aktuale po konsiderohen si një nga goditjet më të forta ndaj manipulimit zgjedhor në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit