

Peqin, 23 janar 2026 Një operacion i sigurisë së lartë është zhvilluar mbrëmjen e sotme në sistemin penitenciar, ku 90 të dënuar me rrezikshmëri të lartë janë transferuar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë drejt atij të Peqinit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se transferimi është kryer nën masa të rrepta sigurie, me përfshirjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve penitenciare, duke garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e plotë të operacionit. Ky veprim vjen në vazhdën e rishikimit të skemës së sigurisë në burgje, pas arratisjes së bujshme të të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit më 13 janar.
Sipas autoriteteve, transferimi është pjesë e një procesi rishpërndarjeje të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë, me qëllim forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen. Megjithatë, lëvizja e menjëhershme e një numri kaq të madh të dënuarish ka sjellë vështirësi në akomodim dhe në procesin e përshtatjes së tyre në institucionin pritës, duke krijuar një ngarkesë të shtuar për strukturat e IEDP Peqin.
Autoritetet konfirmojnë se operacioni është përmbyllur pa incidente dhe se situata në të dy institucionet paraqitet e qetë dhe nën kontroll. Më herët, pas arratisjes së Ndocit, ishte realizuar edhe transferimi i një grupi tjetër të dënuarish me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit drejt Peqinit, në kuadër të të njëjtave masa sigurie të shtuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






