

Në takimin e fundit të “Foltores” me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat dhe kryetarin e PD, Sali Berisha, ishte i pranishëm edhe Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit të ndjerë demokrat, Sokol Olldashi, i cili dha disa sugjerime dhe kritikoi mënyrën e zhvillimit të Foltorëve.
Gjatë fjalës së tij, Glauku vuri në dukje se disa nga personat e përzgjedhur për të folur shpesh nuk dinë të komunikojnë si duhet, nganjëherë turpërojnë Partinë Demokratike dhe të rinjtë, duke bërë që pjesëmarrësit të ndihen të detyruar të ulin kokën.
Ai theksoi se çështjet e partisë nuk duhet të diskutohen live para kamerave, por pas dyerve të mbyllura, duke trajtuar problemet konkrete të forumit dhe të partisë. Olldashi sugjeroi që Foltorët të zhvillohen mbi tema specifike dhe problematika të caktuara.
“Doktor, mendoj se partia jonë është më shumë se sa njerëzit që janë këtu sot në sallë. Do të ishte shumë mirë të zhvillonim një takim tjetër pa kamera, mes nesh dhe forumi. Problemet e shtëpisë duhet të diskutohen brenda, jo para botës. Kjo është vetëm një sugjerim. Çdo të hënë bëjmë Foltore para Kryeministrisë. Pjesëmarrja nuk është shumë e madhe, duket se problemi është dita. Po ashtu, ata që flasin shpesh nuk janë të duhurit dhe nuk përfshijnë të rinjtë,” tha Olldashi.
Ai paralajmëroi gjithashtu se qasja aktuale dëmton më shumë imazhin e PD-së sesa të kryetarit:
“Ka njerëz që kur flasin nuk arrijnë të komunikojnë si duhet dhe dëmtojnë imazhin tonë, sidomos për ne të rinjtë që kemi karrierën dhe jetën përpara. Reflekton më shumë keq mbi ne sesa mbi ju.”
Glauku propozoi një qasje më të strukturuar dhe tematike për Foltorët:
“Mendoj që çdo të hënë të zhvillojmë një Foltore specifike – një ditë për arsim, një ditë për shëndetësi, një ditë për bujqësi, naftëtarë, minatorë etj. Problemet janë të pafundme. Të ftojmë ekspertët për të folur mbi to, dhe të mos shohim fytyra që na bëjnë të qeshim dhe të ulim kokën. Le të protestojmë mbi problemet konkrete, jo vetëm të përmendim politikanë si problem. Le të trajtojmë problemet reale shqiptare.”
Kryedemokrati Sali Berisha pranoi shqetësimet e Olldashit dhe sqaroi qëllimin e Foltorëve:
“Foltorja nuk synon prani të madhe. Qëllimi i saj është të japë mikrofon dhe zë kundër qeverisë, për deputetë dhe qytetarë. Nuk ka për qëllim të jetë protestë masive. Qëllimi është të flasin qytetarët, të rinjtë dhe grupime të ndryshme,” tha Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






