Transmetuar më 23-01-2026, 21:06

"Nëse nuk do ta kisha vrarë unë, do të më kishte vrarë ai mua", tha në mbrojtje të tij 28-vjeçari grek që vrau një të dënuar shqiptar në burgun e Korydallos në Greqi.

Deklarimi i të riut grek u bë në sallën e gjyqit gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, sot në një gjykatë në Athinë.

Greku tregoi se e kishte qëlluar emigrantin shqiptar Jani Aliaj 23 herë me thikë në kraharor dhe në fytyrë duke i shkaktuar një vdekje të tmerrshme brenda në burg.

Raporti mjeko-ligjor është tronditës, pasi viktima ka 23 plagë me thikë, kryesisht në fytyrë dhe gjoks, ndërsa në përleshje është plagosur një i burgosur tjetër i cili është përpjekur t’i ndajë.

Sipas informacioneve që jep portali grek Zougla, që citon noa.al, 28-vjeçari pretendoi se i dënuari shqiptar ishte i pari që e sulmoi, duke dashur të ekzekutohë një kontratë vdekjeje kundër tij për vrasjen e një shqiptari disa muaj më parë në Agios Panteleimonas.

Autori dhe viktima kanë një të kaluar të rëndë kriminale. 49-vjeçari nga Shqipëria akuzohej se kishte kryer dy vrasje në vendin e tij dhe kundër tij ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është i përfshirë edhe në raste droge.

Autori i krimit, i cili sot u kthye sërish në burg, “numëron” gjithashtu dy vrasje dhe do të gjykohet për dy vrasje të ndryshme me dënime që arrijnë deri në burgim të përjetshëm.

Vrasja e Jani Aliaj ndodhi në Krahun C të burgut më të madh të vendit fqinjë, në një zonë ku nuk ka kamera, në një kohë kur burgu ishte i hapur dhe të burgosurit mund të lëviznin nga qelia në qeli.

Raportohet se më herët, dy të burgosurit nuk kishin shkaktuar ndonjë incident dhe asnjëri prej tyre nuk kishte shprehur frikë për jetën e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit