

Autoritetet italiane kanë finalizuar një operacion të gjerë policor që ka çuar në çmontimin e plotë të një organizate të trafikut të drogës, e cila vepronte kryesisht në rajonin e Foggias. Banda ishte e tëra italiane, por e lidhur me furnizues shqiptar.
Pas një viti hetimesh intensive, policia ka kryer së fundmi 9 arrestime të tjera, duke e çuar në 24 numrin total të personave të ndaluar dhe në 35 numrin e të hetuarve si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
Sipas burimeve zyrtare, drejtuesit e grupit, kishin ngritur një skemë të mirëorganizuar të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit, duke përdorur metodën “delivery”. Drogat porositeshin nga klientët dhe dorëzoheshin drejtpërdrejt në banesat e tyre, përmes takimeve të shkurtra dhe itinerareve të planifikuara për të shmangur kontrollet policore.
Hetimet, të zhvilluara nga maji 2024 deri në prill 2025, zbuluan se lëndët narkotike siguroheshin përmes kontakteve shqiptare, transportoheshin drejt Foggias, ruheshin në garazhe të ndryshme dhe më pas shpërndaheshin sipas porosive. Aktiviteti kriminal funksiononte mbi bazën e kërkesës dhe ofertës, ndërsa fitimet vjetore llogariten në miliona euro.
"Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë kanalet e furnizimit me lëndë narkotike, e cila blihej nga një person referues me shtetësi shqiptare, përmes ndërmjetësve që banonin në Italinë e Veriut. Janë verifikuar gjithashtu edhe mënyrat e shpërndarjes: lëndët narkotike shkarkoheshin pranë një autoskrapi në qytetin kryesor, ruheshin në disa garazhe të ndryshme dhe më pas u dërgoheshin drejtpërdrejt në banesë blerësve", raporton noa.al duke cituar Foggia Today.
Autoritetet bëjnë me dije se tre nga të arrestuarit janë vendosur në paraburgim me vendim gjykate, ndërsa gjashtë të tjerë janë lënë në arrest shtëpiak. Grupi përdorte gjuhë të koduar në komunikime, porosi përmes telefonit dhe mesazheve, si dhe shmangte zonat e monitoruara apo të frekuentuara për të mos tërhequr vëmendjen e forcave të rendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






