Transmetuar më 23-01-2026, 16:30

Ministria e Arsimit ka miratuar zyrtarisht periudhën e aplikimeve për formularët A1 dhe A1Z, të cilët duhet të plotësohen nga maturantët për përcaktimin e lëndëve me zgjedhje në kuadër të Maturës Shtetërore 2026 dhe Maturës Shtetërore Profesionale 2026.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se aplikimet do të nisin më 2 shkurt 2026.

“Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026, ku nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 shkurt,” shkruan ministrja Kumbaro.

Aplikimi për maturantët e viteve të kaluara

Për maturantët e viteve të mëparshme që dëshirojnë të marrin pjesë në Maturën Shtetërore 2026, shërbimi për plotësimin e formularit A1Z do të jetë aktiv në datat 10 dhe 11 shkurt 2026.

Ministria e Arsimit u bën thirrje maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet zyrtare, për të shmangur probleme në procesin e aplikimit.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026

Provimet e maturës do të zhvillohen gjatë muajit qershor dhe do të nisin në orën 10:00, me kohëzgjatje 2 orë e 30 minuta për secilin test.

2 qershor – Gjuhë e huaj

9 qershor – Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

16 qershor – Matematikë

23 qershor – Lënda me zgjedhje

Maturantët do të zgjedhin mes 11 lëndëve, në varësi të degës universitare ku synojnë të aplikojnë.

Maturantët e shkollave profesionale

Për nxënësit e shkollave profesionale, më 23 qershor do të zhvillohet provimi i teorisë profesionale, sipas profilit përkatës, ndërsa në datat e tjera ata do të japin të njëjtat provime si maturantët e arsimit të mesëm të përgjithshëm. Struktura e testeve

Çdo test përmban pyetje të tre niveleve të arritjes dhe vlerësohet me 60 pikë maksimale. Për nxënësit me aftësi të kufizuara, testet përmbajnë vetëm pyetje të nivelit të parë dhe të dytë, me vlerësim maksimal sipas nivelit të dytë.

Provimi i gjuhës së huaj zhvillohet në përputhje me gjuhën e huaj të parë të ndjekur në shkollë. Gjuhët e përfshira janë: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit