

Historia e ndarjes nga jeta të Sibela Abedinit, e cila humbi jetën më 10 shkurt 2024 pasi u hodh nga kati i katërt i një pallati në zonën e Kamzës, është rikthyer në vëmendje publike përmes një emisioni investigativ në News24.
Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Çokun, 39 vjeç, i dyshuar për ushtrim presioni psikologjik ndaj viktimës përmes shpërndarjes së një fotografie intime.
Nga ambientet e burgut, Çoku ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur marrëdhënie intime me Sibela Abedinin dhe se fotografia e publikuar në rrjete sociale ishte montazh, për të cilin ai pretendon se është shpërndarë nga një person tjetër.
Sipas tij, njohja me të ndjerën kishte ndodhur rreth dy javë para ngjarjes dhe kishte qenë vetëm në nivel pëlqimi reciprok. Çoku ka deklaruar se, sapo ka mësuar për publikimin e fotos, ka kërkuar që të bëhej denoncim zyrtar, version që kundërshtohet nga Prokuroria.
Prokuroria ka argumentuar se shpërndarja e materialit intim i ka shkaktuar viktimës një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, duke e çuar drejt aktit ekstrem. Ndërkohë, i dyshuari ka pretenduar se arrestimi i tij është i paligjshëm dhe se ndaj tij është ushtruar padrejtësi.
Në deklaratat e tij publike, Çoku ka shkuar më tej, duke hedhur pretendime se Sibela Abedini nuk është vetëvrarë, por është vrarë, duke akuzuar autoritetet për mungesë vullneti në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga organet hetimore.
Altin Çoku është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2014 është proceduar për gjobëvënie, çështje për të cilën është dënuar më herët.
Rrethanat e ngjarjes
Sibela Abedini ishte e martuar në Kosovë dhe nënë e një vajze 2-vjeçare. Pas problemeve bashkëshortore, ajo ishte kthyer për të jetuar pranë familjes së saj në Kamëz. Familjarët, veçanërisht nëna e saj, kanë deklaruar publikisht se nuk besojnë në versionin e vetëvrasjes, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të thelluar.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






