Transmetuar më 23-01-2026, 13:02

Lezhë, finalizohet operacioni policor “Koordinimi”, shpallen në kërkim dy shtetas për vjedhje në karburante

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”, në kuadër të të cilit janë zbardhur dy raste vjedhjeje në karburante, në territorin e Lezhës dhe Kukësit.

Sipas Policisë, dy shtetas, nën kërcënimin e një pistolete lodër, kanë vjedhur shuma parash, konkretisht xhiron ditore të turnit, si dhe një sasi nafte, në dy karburante të ndodhura në autostradën “Milot–Morinë” dhe në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”.

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga strukturat hetimore të dy drejtorive vendore, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve Emiljano Nikoll, alias Emiljano Lleshaj, 30 vjeç, dhe Aurel Luli, 23 vjeç, të dy banues në Mamurras, të dyshuar si autorë të këtyre rasteve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Aurel Luli, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pistoletë lodër, me të cilën dyshohet se janë kërcënuar punonjësit e karburanteve për realizimin e vjedhjeve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarjet kanë ndodhur rreth orës 21:15 të mbrëmjes së datës 21.01.2026 dhe rreth orës 00:30 të mëngjesit të datës 22.01.2026, ku autorët, duke kanosur me armë lodër pistoletë dy punonjës karburantesh, kanë marrë shuma parash dhe, në njërin rast, edhe një sasi nafte.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit