Transmetuar më 23-01-2026, 12:40

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili po hetohej për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së paraqitur nga prokurorja Doloreza Musabelliu. Sipas SPAK, nga hetimet e kryera nuk janë gjetur prova që të mbështesin akuzën për kryerjen e veprës penale, për të cilën ishte depozituar kallëzimi penal ndaj Rrumbullakut.

Në nëntor të vitit të kaluar, ish-drejtori i Policisë ishte thirrur në Prokurorinë e Posaçme dhe ishte marrë në pyetje për rreth një orë si person në dijeni, në lidhje me hetimin që kishte të bënte me transferimet e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Hetimi kishte nisur fillimisht nga Prokuroria e Beratit, por dosja u transferua më pas në SPAK, për shkak të kompetencës ligjore.

Çështja lidhej me 20 transferime në radhët e Policisë së Shtetit, për të cilat ishin ngritur pretendime se ishin kryer në mënyrë të paligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit