

Moderatorja dhe modelja e njohur holandeze Sylvie Meis ishte viktimë e një vjedhjeje me thyerje gjatë verës së vitit 2023, teksa ndodhej me pushime në Ibiza. Sipas autoriteteve gjermane, nga banesa e saj u vodhën çanta luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi 800 mijë euro.
Më 22 janar, një nga dy të dyshuarit u paraqit para Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamburgut, ku akuzohet për vjedhje me thyerje në bashkëpunim. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, i identifikuar me inicialet M.U., i cili në ditën e parë të gjyqit bëri një rrëfim të plotë lidhur me ngjarjen.
Sylvie Meis nuk ishte e pranishme në seancën e parë, pasi nuk ishte thirrur si dëshmitare.
Sipas aktakuzës, vjedhja ka ndodhur në periudhën 6–14 korrik 2023, kohë gjatë së cilës prezantuesja ndodhej jashtë vendit, fakt që ajo e kishte dokumentuar edhe në rrjetet sociale. Hetimet tregojnë se autorët kanë hyrë në banesë përmes një ndërtese fqinje që ishte e rrethuar me skela dhe kanë depërtuar në apartament duke thyer një dritare tavani që nuk ishte e lidhur me sistem alarmi.
Nga garderoba e banesës janë marrë 22 çanta Hermès, katër çanta Chanel, si dhe çanta të markave Bulgari, Céline dhe Yves Saint Laurent, përveç bizhuterive të shtrenjta. Vlera totale e sendeve të vjedhura vlerësohet rreth 800 mijë euro, citon noa.al, portalin Ibiza live Report.
I pandehuri, baba i dy fëmijëve, ka deklaruar se ka përfituar 15 mijë euro për pjesëmarrjen në vjedhje. Ai ka theksuar se më parë ka punuar ligjërisht si shofer taksie dhe se vendimi i tij lidhej me vështirësi të rënda familjare dhe shëndetësore, përfshirë sëmundje kronike të prindërve.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa autoritetet po hetojnë edhe rolin e bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






