

Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë arrestuar ditët e fundit në Dubai një shtetas shqiptar 39-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2019, si pjesë e një operacioni të koordinuar ndërkombëtar kundër trafikut të drogës.
Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes forcave të rendit të Emirateve, Interpol, dhe autoriteteve italiane, nën koordinimin e Prokurorisë së Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Venecias.
I arrestuari ishte i dënuar përfundimisht në Itali me 8 vjet e 7 muaj burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Roli në rrjetin kriminal
Sipas autoriteteve italiane, 39-vjeçari ka qenë drejtuesi i një rrjeti të strukturuar kriminal, me bazë operative në rajonin e Venetos. Organizata merrej me importimin e kokainës dhe marijuanës nga Holanda dhe Shqipëria, të cilat shpërndaheshin më pas në zona të ndryshme të Italisë veriore.
Rrjeti kishte shtrirje në Venecia, Mestre, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo, ku funksiononin pikat e shitjes së drogës.
Hetimet kanë dokumentuar se i arratisuri ishte përgjegjës për menaxhimin e kanaleve ndërkombëtare të furnizimit, si dhe për koordinimin e aktivitetit kriminal në terren.
Si u lokalizua në Dubai
Hetimi, i zhvilluar nga Skuadra Mobile e Venecias në bashkëpunim me Shërbimin Qendror Operativ (SCO), u mbështet në përdorimin e teknologjive të avancuara të përgjimit dhe mbikëqyrjes elektronike.
Përmes monitorimit të lëvizjeve të familjarëve të tij në Itali, autoritetet zbuluan se gjatë festave të Krishtlindjeve ata kishin udhëtuar drejt Dubait për ta takuar. Ky element rezultoi vendimtar për lokalizimin e saktë të të kërkuarit, i cili dyshohet se lëvizte mes Shqipërisë dhe Emirateve me ndihmën e një rrjeti mbështetës.
Operacioni final u zhvillua me mbështetjen e Divizionit Interpol të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor (SCIP), i cili siguroi shkëmbim të vazhdueshëm informacioni me autoritetet partnere, duke çuar në arrestimin e tij në Dubai.
Procedurat për ekstradimin e të arrestuarit drejt Italisë pritet të vijojnë në ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






