Transmetuar më 23-01-2026, 10:08

Dy vëllezër shqiptarë, me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O”, në rrugën Michalakopoulou të Athinës, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 7 tetorit 2025.

Në pranga ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy me origjinë nga Tirana. Përveç akuzës për vendosjen e lëndës plasëse, ndaj tyre ishte në fuqi edhe urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, si dhe akuza për grabitje dhe shkelje të ligjit për armët.

Si u krye shpërthimi

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, 32-vjeçari Besmir Buci parkoi automjetin pranë diskotekës dhe iu afrua objektit në këmbë, ku vendosi dhe aktivizoi një pajisje shpërthyese të improvizuar. Më pas, ai u kthye në automjet, ku po e priste vëllai i tij, Blerim Buci, dhe u larguan së bashku nga vendngjarja.

Hetimet zbuluan gjithashtu se automjeti i përdorur për kryerjen e aktit ishte siguruar nga një bashkëpunëtor grek, 44 vjeç, i cili dyshohet se ka ndihmuar në logjistikën e ngjarjes.

Sekuestrimet

Gjatë kontrolleve të policisë u sekuestruan:

një thikë palosëse,

8 telefona celularë,

një pajisje telekomandimi me ekran,

dy fletore me shënime,

veshje të përdorura gjatë aktit,

si dhe automjeti i përdorur në shpërthim.

Dëshmia dhe motivi

Njëri prej të arrestuarve ka dhënë një deklaratë të pjesshme pranuese, duke thënë: “Për bombën më punësoi një çift që kishte hesape të vjetra me pronarin e dyqanit dhe më dhanë 5 mijë euro për ta vendosur.”

Sipas policisë greke, shpërthimi ka qenë një “mesazh paralajmërues”, në kuadër të një skeme shantazhi dhe ofrimi të mbrojtjes së paligjshme. Refuzimi i pronarit të diskotekës për të paguar ka çuar në aktin e dhunshëm.

Arrestimi

Gjatë operacionit policor, 41-vjeçari Blerim Buci u lokalizua në një zonë të izoluar natyrore, ku tentoi të fshihej. Ai rezistoi me dhunë ndaj forcave të rendit, duke i goditur me duar dhe këmbë, por u neutralizua dhe arrestua.

Të dy vëllezërit rezultojnë me precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vjedhje, grabitje, mashtrim, falsifikim, dëmtime trupore, si dhe shkelje të ligjit për drogën. Ata janë dërguar tashmë pranë autoriteteve kompetente të ndjekjes penale në Greqi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit