

Operacion në Lezhë, ndalohet një shtetas i kërkuar nga autoritetet spanjolle
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka finalizuar operacionin e koduar “Aksi”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet e Spanjas.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pronës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas sigurimit të informacionit në rrugë operative dhe shkëmbimit të tij me Interpol Madrid, përmes Interpol Tiranas.
Si rezultat, u ndalua teksa lëvizte me automjet, në rrethrrotullimin e Shëngjinit, dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimi shtetasi Ardit Isufi, 45 vjeç.
Ndaj tij, në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Spanjë kishin caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhje me armë”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve, u konstatua se 45-vjeçari drejtonte një automjet tip “Benz” me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Automjeti dhe dokumenti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet spanjolle për finalizimin e procedurës së ekstradimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






