

Finalizohet operacioni policor “Drenova” në Korçë
Policia e Korçës ka përmbyllur operacionin policor të koduar “Drenova”, të zhvilluar në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni, është ndaluar një shtetas 50-vjeçar, banues në Drenovë, i identifikuar si Mondi Mehmetllari. Gjatë ndërhyrjes së strukturave policore, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një pako me rreth 104 gramë lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, e cila u mor në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 50-vjeçari vepronte në bashkëpunim me një tjetër shtetas, Klaus Mullalli, i njohur edhe si Andi Mullalli, 37 vjeç, banues në Korçë. Ky i fundit është shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
Operacioni u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative dhe në zbatim të planit të masave për vitin 2026.
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






