

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar këtë të enjte një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2007–2012, si dhe ndaj prokurorit të Posaçëm të SPAK, Ols Dado.
Në padi, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados në detyrën e prokurorit në vitin 2008, duke argumentuar se emërimi është kryer në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në atë kohë.
Sipas padisë, Ols Dado është emëruar prokuror nga funksioni i noterit, pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës, kusht i detyrueshëm ligjor për ushtrimin e funksionit të prokurorit në momentin e dekretimit.
Veliaj pretendon se ky emërim përbën një shkelje flagrante të ligjit dhe se akti i dekretimit është “nul ab initio”, duke mos prodhuar pasoja juridike të vlefshme.
Gjithashtu, në kërkesë-padi kërkohet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit të Ols Dados, si dhe për ndalimin e ushtrimit të mëtejshëm të detyrës së prokurorit.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, bazohen mbi një akt emërimi të pavlefshëm, duke sjellë, sipas paditësit, pasoja të rënda institucionale dhe kushtetuese.
Padia argumenton se këto veprime kanë ndikuar negativisht jo vetëm mbi Bashkinë e Tiranës, por edhe mbi rendin kushtetues, funksionimin e institucioneve shtetërore dhe të drejtat e individit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






